DARDHA HOME GALLERY - Historiku

Dardha Home Gallery është e pozicionuar në një nga pjesët më të bukura të fshatit malor të Dardhës në rrethin e Korcës, i cili ndodhet rreth 1350 m lartësi mbi nivelin e detit.

Në ambientet e Dardha Home Gallery ju do të gjeni ngrohtësinë në dimër dhe freskinë në verë, si dhe ushqime tradicionale të zonës së Dardhës. Gjithashtu, përmes galerisë fotografike të realizuar nga fotografë dardharë, e cila daton që nga vitet 1700, ju do të keni mundësinë të njiheni nga afër me artin, traditat dhe qytetërimin e fshatit Dardhë. Dy shkollat e drejtuara nga mësues dardharë, njëra në gjuhën greke e themeluar në vitin 1768 dhe tjetra në gjuhën shqipe e themeluar në vitin 1917, si dhe tre kishat që datojnë që nga koha e Bizantit, janë dëshmi e pamohueshme e kulturës së spikatur të këtij fshati. Historikisht fshati i Dardhës i ka dhënë këtij vendi shumë piktorë, fotografë, mjekë, shkrimtarë, kineastë e gazetarë të njohur shqiptarë.

Një libër i ilustruar me fotografi, që u botua me iniciativën e mbretit shqiptar Zogu I-rë, e bëri Dardhën të cilësohet zyrtarisht si fshati i parë turistik i Shqipërisë, i pajisur me hoteleri, kafene dhe kazino. Dardha njihet edhe si një fshat malor karakteristik nga ana arkitekturore, me ndërtesa solide prej guri të gdhendur e të mbuluara me pllocë, rrugë me kalldrëme, si dhe kroje të shumta. Por vecanërisht, Dardha njihet për ajrin e ngopur me ozon dhe ujërat kuruese për shumë sëmundje të testuara nga mjekë të kohës. Gjithashtu, fshati i Dardhës ofron mundësinë e shëtitjeve në mal, si dhe kënaqësinë e argëtimit me ski.

Bukuria e rrallë natyrore, klima e shëndetshme, freskia e ditëve të verës por edhe dimri me dëborë, gatimet tradicionale, mikpritja e njerëzve si dhe sportet dimërore, e bëjnë Dardhën një nga destinacionet më të preferuara për turistët vendas dhe të huaj përgjatë gjithë vitit.

Në qoftë se ju do të kaloni një ditë tek Dardha Home Gallery, ju do të ktheheni përherë aty.

Ju mirëpresim!